Astana i prish kontratën Agim Ibraimit

Skuadra e Astanas përmes një kumtese në sajtin e tyre zyrtarë ka njoftuar se ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme kontratën me futbollistin tetovar, Agim Ibraimi, njofton “infOSport.mk”.

Sipas asaj që thuhet në kumtesën e klubit kazak, “Astana në mënyrë të njëanshme në përputhje me legjislacionin e Kazakistanit dhe rregulloren e FIFA-s, ka ndërprerë kontratën me Agim Ibraimin, për shkak shkeljes sistematike të disiplinës në punë nga ana e futbollistit”.

“Futbollisti brenda 28 ditëve ka munguar në klub, duke i injoruar kërkesat e vazhdueshme të klubit për të respektuar kushtet e kontratës dhe për t’i zbatuar ato në mënyrë të plotë”.

Mbetet të shohim se cili do të jetë reagimi i Agim Ibraimit, i cili me siguri se do e paraqes këtë rast në instancat më të larta të FIFA-s, duke pasur parasysh se kjo kontratë është mbyllur në mënyrë të njëanshme dhe jo edhe me pëlqimin e futbollistit shqiptarë, i cili pjesë e Astanas është që nga sezoni i kaluar.

Edhe pse te Astana u paralajmërua si një përforcim i madh, Ibraimi nuk arriti që të dëshmojë cilësitë e tij në futbollin kazak, duke regjistruar vetëm 11 paraqitje dhe një golë të shënuar.

Ky vendim i drejtuesve të Astanas, e sheh Ibraimin shumë larg  kësaj skuadre, mirëpo mbetet të shohim se cili do të jetë vendimi i tij, do të kërkoj mjedis të ri, apo ndoshta do të çoj deri në fund këtë çështje me ekipin e Astanas, me të cilën skuadër ka kontratë deri në fundin e vitit 2018-të.

Leave a Reply