Shqipëria i hakmerret Izraelit (VIDEO)

Shqipëria i është hakmarrë Izraelit në të njëjtën mënyrë për atë disfatë në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Elbasan Arena”. “Kuqezinjtë” sonte në transfertë shënuan fitore identike 3:0 ndaj izraelitëve, duke zbritur këtë skuadër një pozitë më poshtë.

Armando Sadiku ishte futbollisti i mbrëmjes duke shënuar dy golat e parë dhe duke bërë diferencën ndaj skuadrës izraelite, e cila nuk mund të gjente assesi kundërpërgjigje për taktikën e bërë nga ana e trajnerit De Biasi.

Sadiku golin e parë e realizoi në minutën e 22-të me një goditje nga distanca, ndërsa golin e dytë personal e realizoi vetëm një minutë para fundit të pjesës së parë, kur sërish në të njëjtën mënyrë nga distanca dhe në të njëjtin vend mposhti edhe për herë të dytë portierin izraelit.

Ishte ky goli që solli siguri edhe më të madhe tek “kuqezinjtë”, të cilët zhvilluan një pjesë të dytë edhe më të mirë, me raste shënimi dhe një gol modul, të realizuar nga Memushaj, i cili vetëm se kurorëzoi aksionin e bukur të rinsiur nga Andi Lila, ku protagonist ishin edhe Cikalleshi dhe Hysaj.

Ky gol në fund doli të jetë edhe i fundit në këtë takim, duke i siguruar Shqipërisë në këtë mënyrë edhe fitoren e tretë në kuadër të grupit “G”, ku tashmë Shqipëria ndodhet në pozitën e tretë, menjëherë pas dyshes gjigande, Spanjës dhe Italisë.

Leave a Reply