Stouk Siti dhe Shaqiri mbeten pa trajner, shkarkohet Hjuz

Të shtunën në mbrëmje Mark Hjuz kishte ndeshjen e tij të 200-të në krye të Stouk Sitit, e cila në vend që të shënohej si jubilej, në fund rezultoi me shkarkimin e tij nga posti i trajnerit.

Skuadra e Premierligës, ku aktivizohet edhe futbollisti shqiptarë Xherdan Shaqiri u eliminua nga FA Kupa, edhe atë nga skuadra e Ligës së Dytë, Koventri, gjë kjo që shtyu drejtuesit e Stouk Sitit të mos mendojnë edhe shumë gjatë dhe të shkarkojnë trajnerin e tyre, Mark Hjuz.

Stouk Siti pësoi disfatë me rezultatin 2:1, ndërsa ishte kjo disfata e 6-të në 8 ndeshjet e fundit, 5 prej të cilëve i ka pësuar në 7 ndeshjet e fundit në Premierligë.

54-vjeçari Hjuz ka qenë pjesë e klubit për katër vite e gjysmë. Sezonin e kaluar Stouk Siti e mbylli kampionatin në vendin e 13-të, ndërsa edicionin e sivjetshëm pas 22 xhirove renditet në pozitën e 18-të, me vetëm 20 pikë të tubuara.

Më herët gjatë karrierës së tij si trajner, Mark Hjuz ka drejtuar edhe skuadrat si, Blekburn Rovers, Fulham, Kuins Park Renxhers dhe Mançester Siti.

Leave a Reply