Shkëndija me Reshat Ramadanin në formacion frymon ndryshe

Shkëndija thuajse gjatë gjithë kampionatit ishte nën hijen e Struga Trim Lum dhe FC Shkupit, duke qenë vazhdimisht në ndjekje të tyre, por njëkohësisht edhe duke pritur momentin e duhur për të shpërthyer.

Dhe si duket tashmë ka ardhur momenti i “kuqezinjëve”, që vetë vendosin për fatin e tyre, kur është në pyetje titulli kampion.

Tre fitoret e njëpasnjëshme, bënë që “kuqezinjtë” të marrin piedestalin, ndërsa një meritë të veçantë, pa dyshim se ka edhe Reshat Ramadani, mesfushori difenziv, i cili po e bënë më së miri punën e tij.

Ai është “zinxhiri” kryesor që lidh mbrojtjen me mesfushën, aty ku Shkëndija është dominuese ndaj të gjithë kundërshtarëve.

Mungesa e tij u vërejt dukshëm në ndeshjen kundër AP Brera gjatë pjesës së parë, kur kundërshtari me shumë lehtësi depërtonte në zonën e “kuqezinjëve”, ndërsa me inkuadrimin e Reshat Ramadanit, mesfusha përfitoi identitin e duhur, ndërsa më pas erdhi edhe përmbysja e madhe, kur nga 0:2, Shkëndija regjistroi fitore 3:2, fitore kjo që ju dha motiv shtesë dhe shumë vetëbesim të gjithë futbollistëve, të cilët zhvilluan një ndeshje tjetër perfekte në Çair, duke mundur FC Shkupin me rezultatin 2:0.

Edhe në këtë ndeshje, Reshati me shumë përkushtim kreu detyrat e dhëna nga trajneri Jeton Beqiri, i cili është me fat që ka në skuadër një futbollistë të tillë.

Kujtojmë, Reshat Ramadani te Shkëndija luan si i huazuar nga gjigandët ukrainas të Dinamo Kiev dhe në fund të sezonit i përfundon kontrata me Shkëndijën, njëjtë sikurse edhe vëllait të tij, Florent Ramadanit.

Mbetet të shihet nëse Shkëndija dhe vëllezërit Ramadani do vazhdojnë të jenë pjesë e ngjyrave “kuqezi”, pjesë e klubit të tyre të zemrës, të vendlindjes së tyre, me të cilën kanë gjasa reale për tu shpallur kampion. (infOSport.mk)

Leave a Reply