Welthi Habit Shop (SHBA), fitues i turneut “Gurra 2018” që u mbajt në Kërçovë

Në një atmosferë vërtet sa impozante aq edhe madhështore, por kuptohet edhe sportive përfundoi edicioni i sivjetshëm i turneut “Gurra 2018”  , në futboll të vogël i cili u organizua nga Tv Gurra dhe u mbështet nga Komuna e Kërçovës, njofton “infOSport.mk”.

Në mbrëmjen finale fillimisht u zhvillua finalja e vogël, ajo për vendin e tretë, ku ekipi Pehlivanat e Gostivarit me rezultatin 3:2 mundën ekipin Shqiponja nga fshati Aranjell, teksa në finalen e madhe u takuan dy skuadrat më të mira Welthi Habit Shop dhe Liti Farm.

Në një ndeshje të luftuar nga ana e të dyja skuadrave rezultati pas kohës së rregullt ishte ai i fillimit 0:0, ashtu që fituesi i këtij edicioni u vendos vetëm pas ekzekutimit të penaltive, ku më të suksesshëm dolën të jenë lojtarët e Welthi Habit Shop. Vendimtare në këtë fitore ishin dy pritjet e portierit të Welthi Habit Shop, Arlind Spahiu, i cili priti goditjet e Bejtulla Jakupit dhe Vedat Arslan, transmeton “infOSport.mk”.

Organizatori “Tv Gurra” për më të mirët siguroi kupa dhe shpërblime, ndërsa këtë turne me prezencën e tij e nderoi edhe futbollisti i Kombëtares shqiptare, kërçovari, Valon Ahmedi, që këtyre ditëve po qëndron në vendlindjen e tij pas pushimit që ka nga ekipi i tij, Maribor.

Leave a Reply