Shkëndija e Haraçinës demanton dyshimet për trukim! Nuk kemi asnjë njoftim nga UEFA apo FFM

Shkëndija e Haraçinës ka demantuar lajmin e publikuar nga portali ynë lidhur me dyshime për ndeshjen e tyre ndaj Bashkimit, e vlefshme për javën e 14-të. Ata thonë se deri në këto momente pranuar asnjë njoftim zyrtar, komunikim elektronik apo dokument nga UEFA ose Federata e Futbollit të Maqedonisë lidhur me këtë çështje.

Reagimin e tyre ua përcjellim më poshtë:

DEMANT DHE REAGIM ZYRTAR

KF SHKËNDIJA 77 – HARAÇINË

Në lidhje me artikullin e publikuar nga portali “Info Sport mk”, ku pretendohet se UEFA ka hapur procedurë hetimore lidhur me manipulimin e rezultatit të ndeshjes ndërmjet KF Shkëndija 77 – Haraçinë dhe KF Bashkimi – Kumanovë, klubi ynë reagon ashpër dhe kundërshton kategorikisht publikimin e pretendimeve të tilla të pakonfirmuara.

Informojmë opinionin publik se deri në momentin e publikimit të këtij reagimi, KF Shkëndija 77 nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar, komunikim elektronik apo dokument nga UEFA ose Federata e Futbollit të Maqedonisë lidhur me këtë çështje.

Publikimi i pretendimeve kaq serioze, pa paraqitur prova konkrete apo dokumentacion zyrtar, cenon rëndë reputacionin, dinjitetin dhe integritetin sportiv të klubit, futbollistëve dhe drejtuesve të tij.

KF Shkëndija 77 distancohet kategorikisht nga çdo formë e manipulimit të ndeshjeve dhe mbetet e përkushtuar ndaj ndershmërisë, transparencës dhe respektimit të rregulloreve të FFM-së, UEFA-s dhe FIFA-s.

Kërkojmë nga redaksia e portalit “Info Sporti” të paraqesë bazën faktike të pretendimeve të publikuara dhe, në mungesë të saj, të bëjë tërheqjen dhe korrigjimin e menjëhershëm të informacionit, si dhe publikimin e këtij demanti.

Njëkohësisht, njoftojmë opinionin publik se KF Shkëndija 77 do të ndërmarrë hapa konkretë juridikë, përfshirë përgatitjen dhe ngritjen e padisë civile ndaj portalit “Info Sporti” dhe personave përgjegjës për publikimin, duke kërkuar përgjegjësi ligjore dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Klubi ynë mbetet plotësisht i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha institucionet kompetente për mbrojtjen e integritetit të futbollit.

Respektojmë lirinë e medias, por nuk do të tolerojmë që ajo të përdoret për cenimin e reputacionit të klubit përmes pretendimeve të pakonfirmuara.

Emrin, historinë, dinjitetin dhe integritetin e KF Shkëndija 77 do t’i mbrojmë me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.

Me respekt,

Kryesia e KF Shkëndija 77 – Haraçinë

Haraçinë, 26.11.2026

Leave a Reply