Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë në konkurencë të femrave, në edicionin e ri të Ligës së Kombeve do të jetë pjesë e Ligës C, ndërsa në prag të fillimit të garës, UEFA ka përcaktuar datat për zhvillimin e ndeshjeve të fazës së grupeve.
Maqedonia është pjesë e grupit të tretë, ku marrin pjesë edhe Izraeli, Andorra dhe Ishujt Faroe.
Në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, vashat e Maqedonisë do të nisin garën më 2 mars të vitit të ardhshëm, kur si nikoqire do të mirëpresin vashat e Andorrës, ndërsa katër ditë më vonë po në teren vendas do të luajnë ndaj Ishujve Faroe.
Më 20 prill Maqedonia do të luaj në transfertë ndaj Izraelit, ndërsa më 24 prill po në transfertë do të luaj kundër Andorrës. Në xhiron e fundit të ndeshjeve, më 11 qershor, në terren vendas fillimisht vashat tona do të luajnë kundër Izraelit, ndërsa më 15 qershor pason transferta tek Ishujt Faroe.
Promovimin në një rang më të lartë të Ligës së Kombeve e siguron përfaqësuesja që do të fitojë vendin e parë në grup, ndërsa dy përfaqësueset më të mira të renditura në vendin e dytë luajnë “plej-of” me dy ekipet më të mira që në Ligën B kanë përfunduar në vendin e tretë.

