UEFA e ka gjobitur Federatën e Futbollit të Kosovës me gjithsej 42 mijë e 250 euro për shkeljet disiplinore të evidentuara në ndeshjen Kosovë–Izrael, e zhvilluar më 14 nëntor 2026 në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve, e cila përfundoi me rezultat 0:0.
Sipas vendimit të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës (CEDB) të UEFA-s, ndaj FFK-së janë shqiptuar gjoba për katër shkelje disiplinore.
Për sjellje raciste ose diskriminuese, FFK-ja është gjobitur me 10 mijë euro. Për këtë shkelje, UEFA ka urdhëruar edhe mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri”, për një ndeshje si vendase në garat e UEFA-s. Megjithatë, ky dënim është pezulluar për një periudhë prove prej dy vitesh dhe mund të aktivizohet në rast të përsëritjes së një shkeljeje të ngjashme.
Për hedhjen e gjësendeve, FFK-ja është gjobitur me 2 mijë e 250 euro, ndërsa për pengimin e himneve kombëtare me 10 mijë euro.
Ndërkaq, për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive, UEFA ka shqiptuar gjobë prej 20 mijë eurosh.
Në total, gjobat financiare ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës arrijnë në 42 mijë e 250 euro.
