Gjermani-Meksikë, njihuni me formacionet, meksikanët 33 vite presin për hakmarrje

Mbajtësja e trofeut të Kupës së Botës, Gjermania, nis sot mbrojtjen e titullit me një duel interesant ndaj Meksikës, në atë që pritet të jetë dueli më i fortë i Grupit F. Përkundër asaj që mund të mendohet nga rrugëtimi drejt Rusisë, si Gjermania, ashtu edhe Meksika, janë përballur me probleme të shumta këto muaj.

GJERMANIA

Gjatë katër viteve të fundit, Gjermania k fituar Kupën e Botës, Kupën e Konfederatave dhe ka arritur gjysmëfinalet e Europianit, por skuadra e Lëv e sheh veten nën një trysni të jashtëzakonshme pasi i kërkohet fitorja e Botërorit për herë të 5-të.

Duket e çuditshme por kjo trysni ka bërë që Gjermania të mos tregojë formën e saj më të mirë dhe ia ka dalë rrallëherë të fitojë ndeshje që në nëntor. Barazimet me Anglinë, Francën dhe Spanjën janë të pranueshme, ashtu si një humbje e ngushtë ndaj Brazilit. Por humbja përballë Austrisë dhe një fitore jo shumë bindëse ndaj Arabisë Saudite pak ditë më parë, kanë bërë që situata të shihet me shumë shqetësim.

Sikur të mos mjaftonte kjo, situata me Gyndogan e Ozil që janë kthyer në “armiq” për foton me Erdogan, ka ndarë tifozerinë dhe komplikon disi gjendjen e Gjermanisë, të cilën në rrugën e duhur e kthen vetëm një rezultat shumë bindës në duelin e sotëm. Meksika mund të jetë një kundërshtar i rrezikshëm, por Lëv ka parë skuadrën e tij t’i shënojë nga 4 gola në dy ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër saj, ndaj nuk shqetësohet edhe aq.

MEKSIKA

Në 6 Botërorët e fundit, Meksika ia ka dalë gjithmonë të kalojë fazën në grupe, por trajneri Huan Karlos Osorio ka një detyrë të vështirë për të siguruar numrin 7.  Tifozët tani nuk kënaqen vetëm me kalimin e fazës ë parë dhe kanë filluar të kërkojnë më shumë.

Një rezultat pozitiv ndaj Gjermanisë do të ishte i shkëlqyer, por meksikanët duken shumë më të fokusuar te sfidat ndaj Koresë së Jugut dhe Suedisë që përcaktojnë ecurinë e tyre të mëtejshme. Për të përgatitur më mirë ndeshjet, Meksika u përball vetëm me ekipe europiane në miqësore, ku u mund nga Kroacia dhe Danimarka, ndërsa kaloi me vështirësi Skocinë e Uellsin që luanin me ekipet e dyta.

Edhe lojtarët nuk kanë qenë në formën më të mirë, pasi Havier “Çiçarito” Hernandez dhe Raul Himenez kanë zhgënjyer në këtë edicion. Fatmirësisht, Hirving Lozano i PSV Eindhoven ka shkëlqyer dhe duket gati për një ekip të madh.

Mbrojtja dhe mesfusha kanë shumë veteranë në përbërje, mes tyre legjendën Rafael Markez, por Osorio është më i fokusuar të ndërtimi i një ekipi të qëndrueshëm sesa të arritjet individuale të emrave të vjetër.

FORMACIONET E MUNDSHME

PROTAGONISTËT

Problemi më i madh i Gjermanisë në këto momente është mesfusha, ose më saktësisht tre emrat që mund të luajnë pas Verner. Draksler dhe Myler pritet të luajnë nga krahët, me Ozil në qendër, edhe pse ai ka qenë deri në minutën e fundit në balotazh me Rojs për shkak të një dëmtimi.

Miqësoret para Botërorit treguan se është kthyer hierarkia edhe në portë, pasi Manuel Nojer do ta fillojë aktivitetin si titullar, duke ulur në stol Ter Shtegen dhe Trap.

Nga ana tjetër, Osorio ka përdorur rotacion në ndeshjet miqësore, por duke lënë të kuptohet se “Çiçarito” rrezikon ta nisë takimin nga stoli, pasi ka qenë jashtë forme. E njëjta situatë edhe për Rafa Markez, por pakkush ka dyshime që Xhovani Dos Santos dhe Karlos Vela nuk do të jenë në formacionin titullar.

Për dy skuadrat kjo është ndeshja e 12 mes tyre, me Gjermaninë që ka fituar 6 e Meksikën vetëm 1. Suksesi i vetëm i meksikanëve ka qenë në vitin 1985. (vipsport.al)

Leave a Reply