Alban Bushi fton dy futbollistë të Shkëndijës tek shpresat e Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares shpresa të Shqipërisë, Alban Bushi shpalli sot listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjen eleminatore kundër Spanjës si dhe atë miqësore me Italinë.

Në mesin e futbollistëve të grumbulluar nga ana e Bushit bëjnë pjesë edhe dy futbollistët e Shkëndijës, Shefit Shefiti dhe Arbin Zejnullai. Për këtë të fundit është kjo hera e parë që grumbullohet me U21 të Shqipërisë, ndërsa Shefit Shefiti kishte debutuar me gol në atë miqësore kundër Bjellorusisë të fituar nga Shqipëria me rezultatin 3:2.

“Mund të them që gjatë këtyre takimeve në grup kemi bërë ndeshje shumë të mira, por mungesa e përvojës nuk na ka çuar te marrja e rezultatit. Por, matematikisht jemi ende në garë për vendin e dytë në grup. Këtë radhë skuadra është e komplektuar. Jemi fizikisht shumë mirë. Do të bëjmë më të mirën tonë, duke njohur natyrisht edhe limitet tona, por edhe peshën e kundërshtarit në fushë. Edhe pse nuk futemi kurrsesi me frikë në këtë ndeshje. Paralelisht ne jemi duke ndërtuar një skuadër për sezonin tjetër, një ekip shumë premtues dhe me pritshmëri të larta në rezultate. Lojtarët i kam ndjekur në ecurinë e tyre që kanë në kampionatet e huaja që luajnë, por edhe në kampionatin shqiptar dhe them me bindje se gëzojnë kondicionin e tyre më të mirë që mund të kenë patur ndonjëherë”,- theksoi Bushi.

Ndeshja Spanjë-Shqipëri do të luhet me datë 6 shtator me fillim në ora 20:00 në Kordoba, ndërsa takimi miqësor me Italinë do të zhvillohet pas 5 ditës (11 shtator) në Kaljari të Italisë me fillim në ora 18:30.

Leave a Reply