Bajerni i Munihut rrëshqet në Berlin (VIDEO)

Skuadra bavareze e Bajern Munih ka rrëshqitur në Berlin, pasi u mund nga Herta me rezultatin 0:2 në ndeshjen e parë të javës së 6-të në Bundesligë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra kampione e Gjermanisë bëri një paraqitje shumë të zbehtë sonte në stadiumin Olimpik në Berlin, aty ku u mund nga futbollistët e frymëzuar vendas.

Rezultatin e hapi boshnjaku Vedad Ibisheviç kah mesi i pjesës së parë me një gol të shënuar nga pika e bardhë, ndërsa pak minuta para përfundimit të saj, Duda shënoi edhe golin e dytë dhe të nokdaunit, pasi deri në mbyllje të takimit, “bavarezët” edhe përkundër tentativave të shumta nuk arritën të shënojnë të paktën një gol, ndërsa në minutat shtesë rrezikuan të pranonin edhe të tretin, kur Nojer kishte lëshuar portën e tij, por i njëjti ndali gëzimin e futbollistëve vendas edhe për herë të tretë.

Me këtë fitore Herta e Berlinit ruajti reputacionin e saj, si një ndër skuadrat më të papërshtatshme të skuadrës bavareze, duke pasur parasysh se tre ndeshjet e tyre të fundit ishin mbyllur me barazime, 0:0, 2:2 dhe 1:1.

Për herë të fundit që Herta e kishte mundur Bajernin, kishte qenë viti 2009, kur skuadra berlinase fitonte me rezultatin 2:1.

Ndryshe për Bajernin ishte ky dështimi i dytë këtë sezon, pas atij barazimi 1:1 në shtëpi ndaj Augsburgut në mesjavë. Në këtë mënyrë që të dyja skuadrat u parazuan me pikë në krye të renditjes, me Bajernin që mban pozitën e parë vetëm për shkak gol-averazhit më të mirë, ndërsa pas tyre me nga 11 pikë dhe asnjë ndeshje të humbur pasojnë Dortmundi dhe Verder Bremeni i Milot Rashicës, që kanë nga 11 pikë të tubuara.

Leave a Reply