Pakueta si Messi, nga problemet me zgjatjen, në “yll” futbolli

Në moshën 15-vjeçare ishte i gjatë 1 metër e 53 centimetra dhe nuk po zgjatej si bashkëmoshatarët e tij për shkak të disa problemeve me kockat.

Shokët e skuadrës e tallnin për këtë arsye, ndërsa tranjerët e tij nuk besonin se ai do të bëhej futbollist.

Sot, Lukas Tolentino Koelho da Lima, i njohur ndryshe si Lukas Pakuetá, është 1 metër e 80 centimetra i gjatë, e thërrasin “Magjistari” e gjithashtu shumë shpejt pritet të zyrtarizohet si lojtari i ri i Milanit.

Në arkat e Flamengos do të shkojnë 35 milionë euro, shifër e konsiderueshme duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një lojtar 21-vjeçar. Por Paquetá nuk është një futbollist dosido, të paktën në Brazil e konsiderojnë si një nga talentët më të mëdhenj të viteve të fundit, për të cilin Leonardo mposhti konkurrencën e Barcelonës e sidomos të Paris Sen Zhermenit për të afruar atë te Milani.

Ai krahasohet me një ikonë të kuqezinjve, Rikardo Kaká, për shkak të ngjashmërive në mënyrën e të luajturit, por dhe festimit të njëjtë pas shënimit të golit, me dy gishtat tregues të ngritura lart në qiell.

Në përgjithësi, brazilianët nuk kanë zhgënjyer kurrë me fanellën e Milanit. Mjafton të kujtojmë Kaká, Paton dhe Tiago Silvan, që u sollën në Itali pikërisht nga Leonardo, apo legjenda të tjera si Dida, Kafu, Serxhinjo dhe Ronaldinjo.

Në rast se nuk do të ketë surpriza të pakëndshme, Lukas Pakueta do të jetë futbollisti i 35-të brazilian në historinë e kuqezinjve. Tifozët e klubit milanez shpresojnë se do të shijojnë shumë shpesh ‘samban’ braziliane në ‘San Siro’.

Leave a Reply