‘El Clasico’ i takon Barcelonës dhe Luis Suarezit (VIDEO)

‘El Clasico’ e parë e sezonit 2018/2019 i ka takuar Barcelonës, skuadër kjo që në tërësi e dominoi ndeshjen në ‘Kamp Nou’ duke mundur Realin e Madridit me rezultatin 5:1, njofton ‘infOSport.mk’.

Figurë qendrore e këtij takimi doli të jetë sulmuesi Luis Suarez, i cili realizoi ‘hat-trik’, ndërsa një gol tjetër për Barcelonën realizoi braziliani Filipe Kutinjo, i cili në minutën e 11-të hapi serinë e golave.

Sulmuesi uruguaian golin e tij të parë e realizoi në minutën e 30-të, kur ngriti epërsinë në 2:0, rezultat ky i pjesës së parë.

Marselo, futbollisti më në formë i ‘madrilenëve’ në minutën e 50-të riktheu paqartësitë në këtë takim,  mirëpo gjithçka erdhi në vendin e duhur kur Luis Suarez sërish doli në skenë me dy gola të njëpasnjëshëm.

Fillimisht në minutën e 75-të Suarez me kokë shënoi golin e tretë pas asistit të Serxhi Robertos, ndërsa në minutën e 83-të me mjaft mjeshtëri uruguaiani rrumbullaksoi ‘hat-trikun’ e tij të parë në ndeshjet ndaj Realit të Madridit.

Mirërpo Barcelona edhe përkundër epërsisë prej 3 golave, nuk ndalej dot, ndërsa në minutën e 87-të erdhi goli më i bukur i takimit ku pas shumë pasimeve rezervisti Arturo Vidal realizoi edhe golin e 5-të në rrjetën e Kurtua, i cili debutimin e tij në ndeshjet e ‘El Clasicos’ nuk do ta mbajë mend për mirë.

Falë kësaj fitore Barcelona rikthehet në pozitën e parë me 21 pikë, 7 më shumë se Reali i Madridit që pas 10 xhirove mban pozitën e 9-të.

Leave a Reply