Dana Uajt fton Mejvedhërin që luftën ndaj Khabib ta zhvillojë në kafaz

Presidenti i UFC-së, Dana Uajt, gjatë një interviste për televizionin TMZ ka deklaruar se nëse boksieri amerikan Flojd Mejvedhër dëshiron të luftojë ndaj Khabib Nurmagomedov, këtë gjë duhet ta bëjë në kafaz dhe jo në ring.

“Më dëgjoni, nëse Mejvedhër dëshiron të duelojë, është i mirëpritur nga të gjithë. Por eja të duelosh në UFC. Ne nuk dëshirojmë që kjo përballje me Khabib të zhvillohet në ring. Ne ia plotësuam një herë dëshirën. Kaq. Nëse dëshiron të duelosh eja të zhvillosh një duel të vërtetë, në kafaz”,-  tha Dana Uajt.

Kreu i arteve marciale mikse i referohet duelit që Mejvedhër zhvilloi ndaj Konor MekGregor në gushtin e vitit 2017-të, ku fitoi me “KO teknik”, sfida e dytë më e ndjekur në historinë e sporteve luftarake dhe në shitjet PPV (pay per vieë-paguaj për ta parë).

Dana Uajt nuk është kundër një përballje të dytë të madhe mes një boksieri dhe një sportisti të MMA-së, por kërkon që tashmë ajo të zhvillohet në kafaz.

Në duelin ndaj MekGregor, boksieri amerikan kishte shënuar fitoren e tij të 50-të në karrierë si profesionist, ku nuk ka asnjë humbje, njëjtë sikurse edhe Khabib Nurmagomedov, i cili në luftërat e UFC-së ka shënuar 27 fitore.

Leave a Reply