Super-lajm për tifozët e FC Shkupit, pasi më në fund ka marrë dritën jeshile projekti për realizimin e tribunave shtesë në stadiumin e Çairit.
Federata e futbollit të Maqedonisë me mbështetje të UEFA-së dhe programit për zhvillim, zyrtarisht ka marrë leje për fillimin e aktiviteteve për rekonstruimin dhe ndërtimin e tribunave shtesë në stadiumin e Çairit.
Lajmi është njoftuar nga FFM përmes faqes zyrtare, ku përveç rekonstruimit në stadiumin e Çairit, do të ketë punime edhe në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.
Mjetet janë miratuar pasi paraprakisht u dërgua aplikim me projekte ideore për dy stadiumet në fjalë nga ana e Federatës së futbollit të Maqedonisë. Këto aktivitete janë pjesë e projektit të FFM-së për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në komuna të ndryshme të Maqedonisë.
Marrëveshja për rikonstrumin dhe ndërtimin e tribunave në stadiumet në ‘Çair’ të Shkupit dhe ‘Biljanini Izvori’ në Ohër do të rregullohet përmes bashkëpunimit në realizimin e punëve nga FFM, vetëqeverisjet lokale dhe UEFA.
“Në emër të Federatës së futbollit të Maqedonisë mund të njoftoj se bashkë me komunat dhe UEFA-në vazhdojmë bashkarisht ndërtimet për një të ardhme më të mirë të futbollit në Maqedoni. Këto janë projekte të vlefshme me rëndësi të jashtëzakonshme, por edhe një impuls shtesë për vetëqeverisjet lokale, e gjitha me qëllim për sigurimin e një të ardhme të bukur për futbollin tonë. Mundohemi të ndihmojmë kudo dhe në çdo mënyrë dhe unë shpresoj se këto projekte do t’i realizojmë sipas marrëveshjes dhe në përputhje me parimet tona dhe të UEFA-së. Qëllimi ynë i vetëm me këto lloje të projketve është të sigurojmë kushte si që meritojnë klubet, shikuesit dhe ekipet përfaqësuese”, ka thënë u.d. presidenti i FFM-së, Muhamed Sejdini.