Ish-futbollisti i Rabotniçkit humb sezonin, operohet në gju

Ish-futbollisti i Rabotniçkit dhe tashmë mbrojtësi i Kukësit, Gëzim Krasniqi, humbi sezonin për shkak të një dëmtimi që mori në gju në ndeshjen ndaj Kastriotit. Shtatlarti e kuptoi menjëherë shkallën e rëndë të dëmtimit dhe bëri analizat mjekësore. Aty u kuptua se problemi i tij ishte madhor dhe se nuk do të kishte shans të rikthehej në fushë në këtë sezon.

Analizat treguan se mbrojtësi kishte probleme në gju dhe duhej t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale. Krasniqi i është nënshtruar operacionit dhe fatmirësisht për të gjithçka ka shkuar mirë. 29-vjeçari pritet të mungojë 6 muaj, aq pritet të zgjasë rikthimi i tij në fushën e lojës. Krasniqi ka luajtur 13 ndeshje këtë sezon me verilindorët nga të cilat 12 si titullar.

Kavajasi e ka dhënë vetë lajmin për kalimin me sukses të operimit në një foto të shpërndarë në rrjetet sociale. Ai shkuran: “Çdo gjë, shyqyr Zotit shkoi me sukses”. Krasniqi ka pritur vizita të shumta nga kolegët dhe shokët e ekipit, pa harruar dhe mesazhet e urimit në rrjetet sociale.

Leave a Reply