Vetëm Benzema nuk mjafton (VIDEO)

Real Madridi është ndalur në transfertën ndaj Leganes në ndeshjen e fundit të javës së 32-të në La Liga. “Mbretërit” barazuan 1:1, duke u ndalur në kuotën e 61 pikëve, duke theksuar edhe më shumë inferioritetin ndaj Barcelonës kryesuese dhe Atletiko Madridit të vendit të dytë.

E njohur si ndëshkuesja e Real Madridit, skuadra e Leganes, e renditur në vendin e 11 në kuotën e 41 pikëve, edhe një herë tjetër ka kërcënuar fuqishëm ekipin “madrilen”, duke iu afruar shumë suksesit të plotë, të shmangur vetëm nga bomberi i Karim Benzema, i cili sonte shënoi golin e tij të 18 sezonal, duke u renditur menjëherë pas dyshes së Barcelonës, Lionel Messi (33 gola) dhe Luis Suarez (20).

Ndryshe të parët në këtë ndeshje avansuan vendasit, falë një goli të Silva në minutën e fundit të pjesës së parë pas një goditje perfekte nga brenda zonës, ndërsa Benzema golin e barazimit e realizoi pas 6 minutave lojë në pjesën e dytë.

Leave a Reply