“Ballistët” kthehen në tribunë për festën e Shkëndijës

Edhe pse në periudhë ndryshimesh dhe riorganizimi pas dorëheqjes së kryesisë së fundit të udhëhequr nga Isak Luma, grupi i tifozëve “Ballistët” megjithatë nuk mund të mungojnë në festën e madhe të skuadrës së tyre të zemrës.

Shkëndija të dielën pranon trofeun për titullin kampion të sezonit garues 2018/19, ndërsa në Tetovë dhe rrethinë tifozët mobilizohen maksimalisht për të mbushur tribunën “Marshin Beqiri” në sfiden festuese të trofeut të 6-të të kuqezinjëve, i treti në kampionat dhe i dyti radhazi.

Skuadra tetovare ka marrë “primatin” e futbollit vendor, pasi nën udhëheqjen e kompanisë “Ecolog” dhe familjes Destani, në tre vitet e fundit ka arritur të “rrëmbej” 4 trofe, 2 tituj të kampionit dhe 2 trofe të Kupës, ndërsa vitin e kaluar bëri rekord pikësh me diferencë +35 nga vendi i dytë Vardari.

Shkëndija këtë sezon vazhdoi dominimin dhe kuqezinjtë fitojnë tjetër trofe në mënyrë bindëse, duke konfirmuar se për momentin janë skuadra më e mirë në vend. /InfOSport.mk

Leave a Reply