Opre: Besojmë se mund t’ia dalim ndaj Tikveshit

E diela në futbollin vendor është e rezervuar për ndeshjen e balotazhit midis Tikveshit dhe Labunishtit, njofton “infOSport.mk”. Këto dy skuadra sezonin e rregullt në ligën e dytë Perëndim dhe Lindje, e mbyllën në pozitën e dytë, ndërsa dëshira e tyre është që atë që nuk mundën ta bëjnë përmes ndeshjeve kampionale, ta bëjnë përmes kësaj ndeshje finale.

Siç dihet skuadra fituese nga kjo përballje do të luaj një ndeshje tjetër finale, atë kundër Sileksit, me 5 qershor, kur edhe përfundimisht do të mësojmë emrin e skuadrës që do të luaj në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.

“Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e bukur. Tikveshi ka një skuadër të mirë në përgjithësi, mirëpo besoj se mund t’ia dalim në ndeshjen e sotme” – tha fillimisht Mugni Opre, portieri i Labunishtit, skuadër kjo që sot në Shkup do të ketë përkrahjen nga ana e tifozëve të saj, që të organizuar kanë udhëtuar drejt kryeqendrës sonë: “Besoj se do kemi përkrahjen e duhur edhe në këtë ndeshje, si gjatë gjithë sezonit. Janë nisur dy autobus nga Struga, ndërsa shpresojmë që në fund ti shpërblejmë ata me një fitore”.

Ndeshja ndërmjet Tikveshit dhe Labunishtit starton në ora 16:30, ndërsa e njëjta do të zhvillohet në stadiumin e Gjorçe Petrovit.

Leave a Reply