Liga e Kampionëve, grupi “E”, Napoli pa Hysajn, sfidon kampionët e Europës

Në mbrëmjen e sotme do të startojë me fazën e grupeve kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Europë, Liga e Kampionëve. Por, edhe pse është vetëm fillimi dhe faza e grupeve, sërish shorti ka rezervuar përballje të cilat të japin idenë se kompeticioni është në një fazë tjetër.

Kështu, në grupin “E” sonte me fillim në ora 21:00, Napoli do të sfidojë në shtëpi kampionët e Europës në fuqi, Liverpulin.

Në këtë ndeshje do të mungojë mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili ka mbetur jashtë pas dëmtimit me Kombëtaren, ndërsa shkupjani Elif Elmaz do të jetë në bankinë, duke pritur rastin e tij për të debutuar në një ndeshje të Ligës së Kampionëve.

Në anën tjetër me shumë gjasa në bankinë do të jetë edhe Xherdan Shaqiri, që nuk po kalon momente edhe aq të mira, sidomos pas refuzimit të tij që të luaj me Zvicrën në ndeshjet e këtij muaji.

Rikujtojmë këto ekipe kanë qenë edhe në sezonin e kaluar së bashku, teksa fituan secila në fushën e tyre me rezultatin 1:0.

Italianët kanë statistika të mira në shtëpi përballë skuadrave angleze, duke dalë fitues në 5 ndeshje, në dy raste kanë dalë si humbës, teksa një ndeshje kanë barazuar.

Por, nëse nuk përfshihen ndeshjet shtëpiake, atëherë statistikat ndryshojnë teksa Napoli ka humbur pesë nga gjashtë të fundit përballë klubeve britanike.

Në sezonin e shkuar, sa i përket fazës së grupeve Liverpuli kishte statistika negative në ndeshjet jashtë fushe, duke u mposhtur në të gjitha teksa shënuan vetëm një gol. Ndërkohë, kanë shkëlqyer në këtë start të sezonit, duke fituar pesë ndeshjet e para, me një mesatare 3 gola për ndeshje.

Ndërkaq, rreziku kryesor i Napolit mban emrin e Driz Mertens, i cili ka shënuar tre gola në tre ndeshjet e para, ndërsa në krahun tjetër, Mohamed Salah ka shënuar katër gola në pesë ndeshje. Ylli egjiptian Napolit i kishte shënuar edhe sezonin e kaluar.

Sfida tjetër e këtij grupi është ajo mes Salzburg dhe Genk, e cila gjithashtu starton në orën 21:00. (VipSport.al)

Leave a Reply