Rabotniçki befason Akademia Pandevin në Strumicë

Rabotniçki ka barazuar 1:1 në transfertën ndaj Akademia Pandev, ndeshje kjo e para për javën e 13-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo një ndeshje në të cilën vendasit e Akademia Pandev ishin favorit absolut  bazuar në renditjen momentale në tabelën e klasifikimit, megjithatë gjërat në fushën e futbollit rrodhën më ndryshe.

Akademia Pandev ishte skuadër më e mirë gjatë 45 minutëshit të parë, kur edhe avansoi me golin e Kristijan Stojkoskit, ndërkohë pjesa e dytë foli në favorin e “romantikëve”, të cilët në minutën e 72-të me anë të Nikolçe Sharkoskit, arritën që të barazojnë rezultatin në 1:1.

Ky rezultat doli të jetë edhe rezultati përfundimtarë i këtij takimi, në të cilin të dyja skuadrat deri në mbyllje patën edhe nga një rast ideal për të shënuar golin e fitores, mirëpo në të dyja rastet spikatën portierët Çubrakoviç dhe Shishkovski.

Akademia Pandev vijon të mbajë pozitën e dytë në renditje me 25 pikë, ndërkohë Rabotniçki me vetëm 11 pikë renditet i fundit.

Leave a Reply