Hetemaj luan rolin e heroit në Finlandë, shpëton një fëmijë nga mbytja në liqe

Futbollisti kosovar Mehmet Hetemaj ka luajtur rolin e heroit, duke shpëtuar jetën e një fëmiu 10-vjeçar, që po mbytej në liqen. Ngjarja ka ndodhur të enjten në Finlandë, derisa futbollisti i SJK-së ishte së bashku me nënën e tij në afërsi të një liqeni artificial.

Një fëmijë që po freskohej në liqe ka pasur vështirësi për të qëndruar në sipërfaqe. Fillimisht kishte ndërhyrë nëna e futbollistit, e cila kishte hasur në telashe, ndërsa menjëherë duke parë situatën e krijuar kishte reagua edhe vetë Mehmet Hetemaj, duke u futur në ujë për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Nëna ime arriti shpejtë te fëmija. Por kuptova se të dy janë në telashe. Më pas u futa në ujë edhe unë. Arrita te vogëlushi dhe e ngrita atë mbi sipërfaqe të ujit. Më pas e kam dërguar deri në breg”, ka treguar Hetemaj për mediat finlandeze.

Për rastin të shtunën kanë shkruar edhe shumë media në Itali, ku Hetemaj kishte luajtur më parë gjatë karrierës së tij.

32-vjeçari Mehmet Hetmaj ka zhvilluar një ndeshje me përfaqësuesen e Kosovës, ndërsa ka luajtur edhe me përfaqësuesen e Finlandës.

Ndryshe, Mehmeti është vëllai i Përparim Hetemajt. Në Itali ka luajtur për skuadra si Albinoleffe, Rexhina e Monza, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe në Greqi, si dhe Finlandë, ku aktualisht mbron ngjyrat e skuadrës së SJK Seinäjoki.

Leave a Reply