Ndarja e çmimeve “8 shtatori”, Lulzim Vrenezi – fitues i çmimit të madh

Me rastin e ditës së pavarësisë, në Kuvendin republikan u shpërndanë çmimet tradicionale “8 shtatori”, me të cilat iu dhanë mirënjohje sportistëve, trajnerëve dhe punëtorëve në fushën e sportit.

Çmimi për vepër jetësore dhe kontribut të jashtëzakonshëm në afirmimin e sportit iu nda Lulzim Vrenezit, mundës prej shumë vitesh, tanimë një trajner shumë i suksesshëm.

Vrenezi për kohë të shkurtër ka fituar medalje në nivel europian dhe botëror.

“Ky është shpërblim më i madh në jetën time. Desha t’u uroj festën e 8 shtatorit me dëshirë që vitin tjetër të kemi një medalje nga lojërat olimpike në Tokio.”,- tha Lulzim Vrenezi.

Përveç çmimit për vepër jetësore, u ndanë edhe katër çmime të tjera për arritje në fushën e sportit, ndërsa njëri prej atyre çmimeve i takoi edhe Besnik Muratit, një punëtor i madh sportiv në fushën e karatesë.

“Është nderë dhe këtë çmim dua ta ndaj me të gjithë ju, posaçërisht me nxënësit e mi dhe lojtarët e mi të cilët kanë rezultatet më të mira në vend për këto 12 vite.”,- u shpreh Besnik Murati.

Nga Agjencia për të Rinj dhe Sport paralajmëruan se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të japin përkrahje të gjithë sportistëve punëtorë në vend, të cilët me sukseset e tyre e promovojnë vendin në suaza ndërkombëtare.

Leave a Reply