Disfata nga Maqedona e Veriut, FFK merr vendimin zyrtar për trajnerin Çallandes

Strategu zviceran, Bernard Çallandes edhe përkundër kritikave të shumta nga gazetarët kosovar gjatë konferencës për shtyp pas eliminimit të Kosovës në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve për edicionin e kaluar, do të vazhdojë të udhëheq përfaqësuesen kosovare.

Disfata e mbrëmshme ndaj Maqedonisë së Veriut dhe në përgjithësi rezultatet e dobëta në ndeshjet e Ligës së Kombeve në edicionin e ri, e lëkundën seriozisht stolin e Çallandes.

Megjithatë drejtuesit e FFK-së me në krye presidentin Ademi, kanë vendosur të vazhdojnë bashkëpunimin e nisur.

Lajmi për vazhdimin e bashkëpunimit është konfirmuar edhe nga vetë federata nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare.

“Presidenti Ademi shfaqi besimin e tij ndaj trajnerit Bernard Shaland dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke kërkuar nga ta që të jenë edhe më vigjilentë në këtë periudhë jo të lehtë për ekipin dhe që të jenë të gatshëm për të ndihmuar futbollistët ta përballojnë këtë situatë, si dhe që t’u japin mundësi të gjithëve dhe të krijojnë ekipin më të mirë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Zvicerani Çallandes morri përgjegjësinë për dështimin ndaj Maqedonisë së Veriut, mirëpo të njëjtin e presin dy sfida tjera mjaft të rëndësishme në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve në kuadër të Ligës “C”, ku fillimisht do të përballet me Slloveninë me 11 tetor, ndërsa 3 ditë më pas do të luaj kundër Greqisë në Athinë.

Leave a Reply