Plas edhe te Reali, Benzema kapet mat nga kamerat: “Mos i paso, Vinicius po luan kundër nesh” (VIDEO)

Aspak situatë e mirë nuk po mbizotëron edhe te Reali i Madridit. Edhe pse pas fitores së madhe në “El Clasico” u mendua se gjërat do shkojnë në kahjen e duhur, një episod në tunelin e stadiumit në ndeshjen e mbrëmshme kundër Borusia Menhengladbahut ka marrë gjithë vëmendjen.

Kamerat televizive kanë kapur sulmuesin francez Karim Benzema duke folur me mbrojtësin e majtë, Ferlan Mendy. Sulmuesi francez i kërkon shokut të skuadrës që të mos i pasojë brazilianit Vinicus Junior.

“Vëlla, mos luaj me atë, mos i paso. Të betohem në kokën e nënës time, ai po luan kundër nesh”, – janë fjalët e goleadorit të Realit, që sigurisht do e përkeqësojnë situatën tek “madrilenët”, që mbrëmë barazuan 2:2 në udhëtim te Gladbahu.

Një gol i Benzemas në minutën e 87-të dhe një tjetër i shënuar nga braziliani Kasemiro në minutën e 93-ë shpëtuan Realin nga disfata, që kishte disavantazh prej dy golave.

Kujtojmë Reali në dy ndeshjet e para të sezonit të ri në Ligën e Kampionëve në kuadër të grupit “B” ka grumbulluar vetëm një pikë, pasi në xhiron e parë ishin mundur nga Shakhtari i Donjetskut.

Leave a Reply