Sahiti: Nesër kundër Sllovenisë do japim maksimumin edhe për trajnerin tonë Çallandes

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nesër do të luaj kundër Sllovenisë në Ljublanë, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Edhe këtë ndeshje në mungesë të trajnerit kryesor, Bernard Çallandes, ekipin dardan do e udhëheq Muharem Sahiti, i cili në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes ka folur për pritshmëritë e skuadrës për ndeshjen ndaj ekipit slloven.

“Nesër e kemi një ndeshje të rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të vështirë siç është Sllovenia. Kemi shumë mungesa dhe lojtarë të dënuar, por ne do të japim maksimumin për të marr një rezultat pozitiv. Natyrisht se mungesa e trajnerit Bernard Çallendes ka pasur ndikim të madh, por ne do të japim edhe më shumë nga vetja edhe për kryetrajnerin tonë.” – është shprehur fillimisht Sahiti, i cili edhe përkundër mungesave që i theksoi, tha se Kosova nuk do të ndyshojë stilin e lojës dhe se përmes pasimeve të shkurta dhe posedimit të topit do të kërkojnë golin.

“Sa i përket stilit të lojës, ne nuk do ta ndryshojmë atë, loja jonë bazohet në pasime të shkurtra dhe posedim të topit dhe përmes kësaj të arrijmë deri tek goli apo deri tek rrezikimi i kundërshtarit.”, – deklaroi Sahiti.

Ndeshja Slloveni – Kosovë nesër do të zhvillohet në stadiumin “Stozhice” në Ljublanë me fillim në ora 20:45.

Leave a Reply