Messi: Mjaft më, u lodha duke qenë problemi i gjithçkaje në klub

Largimi i presidentit Josep Maria Bartomeut nuk ka zgjidhur hallet te Barcelona, përkundrazi. Kaosi në aspektin administrativ dhe atë sportiv vazhdon dhe për çdo gjë, një nga emrat që përmendet në vazhdimësi është ai i Lionel Mesit.

Por vetë argjentinasi është mërzitur duke dëgjuar emrin e tij të përmendet për çdo gjë dhe e ka shprehur këtë pakënaqësi të tij.

“Jam mërzitur duke qenë gjithmonë unë problemi i të gjithë Barcelonës”, raportohen të kenë qenë fjalët e Mesit pas kthimit të tij sot në Katalonjë, pasi mbylli ndeshjet me përfaqësuesen e Argjentinës për kualifikueset e Botërorit 2022.

Lojtari ka reaguar shumë i zemëruar kur është pyetur nga gazetarët në aeroport, të cilët e ngacmuan për deklaratën e menaxherit të Antuan Grizman.

Ai kishte deklaruar pak ditë më parë se problemi i Barcelonës ishte Mesi, pasi ai kontrollonte gjithçka te “katalunasit”.

Deklarata të cilat duket se do të sjellin edhe më shumë telashe në rradhët e Barcelonës, pasi Mesi duket qartësisht se është i bezdisur nga gjithë këto tashetheme.

Leave a Reply