Nëse Dortmundi ka Mukokon, Shkëndija ka Elezin (VIDEO)

Nëse një ditë më parë debutimin e tij me 16 vjet e 1 ditë te Borusia e Dortmundit, bëri Jusufa Mukoko, të nesërmen (e diel) një gjë të tillë te Shkëndija e Tetovës, bëri Dashmir Elezi, njofton “infOSport.mk”.

Mukoko bëhet kështu lojtari më i ri që luan në një ndeshje zyrtare të kampionatit gjerman dhe mposhti rekordin e Nuri Shahin, i cili kishte debutuar në vitin 2005 me fanellën e Dortmund kur ishte 16 vjeç e 335 ditë.

Kujtojmë që ishte vetë Bundesliga që uli moshën e lejuar për lojtarët e rinj nga 16 vjeç e gjashtë muaj në vetëm 16 vjeç dhe Mukoko është i pari që përfiton.

Në anën tjetër me po të njëjtën moshë, 16 vjet e 1 ditë, Dashmir Elezi theu rekordin e Suhel Muharremit, me16 vjet e dy muaj si dhe atë të Elif Elmas, futbollistit aktual të Napolit, i cili me Rabotniçkin kishte debutuar me 16 vjet e 6 muaj. Për më tepër Dashmir Elezi në ndeshjen e tij debutuese me fanellën e Shkëndijës, skuadrës së tij të zemrës, arriti që të shënojë përballë FC Shkupit, duke paralajmëruar trajnerin Gjoka se në ndeshjet e ardhshme do të duhet të konsiderojë edhe tek ai.

Kujtojmë në kuadër të javës së 11-të te Shkëndija me gol debutoi edhe Ensar Luma. 20-vjeçari shënoi përballë rivalit lokal, Renovës, ndërsa menjëherë pas këtij debutimi shumë pozitiv, për Lumën erdhi edhe ftesa për te përfaqësuesja U21 e Maqedonisë.

Një punë kjo e mirë që po bënë shkolla e futbollit të Shkëndijës me trajnerët e grupmoshave të reja, me në krye ish futbollistin e kësaj skuadre, Erhan Selimin.

 

 

 

 

 

Leave a Reply