PSZh i beson stolin Poçetinos, merr me vete dhe futbollistin e Interit

PSZh-ja pritet të zyrtarizojë brenda ditës së sotme edhe trajnerin e saj të ardhshëm, por në mënyrë surprizë ai nuk është ish-juventini Masimiliano Alegri, por Mauricio Poçetino.

Ish-trajneri i Totenhemit dje ka pasur një ditë të gjatë në Paris, së bashku me avokatët dhe menaxherin e tij, për të studiuar kontratën dhe firma pritet që të mbërrijë brenda mesditës së sotme.

Përveç Poçetinos, PSZh-ja mund të bëjë një dopio goditje në pritje të rikthimit në fushë në janar. Klubi francez kërkon që t’i dhurojë strategut argjentinas “xholin” e tij në kohët e Totenhamit, Kristian Eriksenin, me të cilin në 6 sezone në Londër, danezi numëroi 255 prezenca dhe mbi 50 gola të shënuar.

Gjithsesi, nëse Interi ka dalë hapur se do ta lëshojë Eriksenin përballë ofertës më të mirë, PSZh-ja me Poçetinon në stol duket favorite, ndoshta në një shkëmbim kokë më kokë me mesfushorin Leandro Paredes, por Bajerni i Munihut është gjithashtu i interesuar dhe ndoshta do të futet bindshëm në tratativë me Interin për nordikun.

Leave a Reply