Luis Suarez thyen rekordin e Ronaldos nga sezoni 2009/2010 në La Liga!

Luis Suarez ka thyer rekordin e Kristiano Ronaldos, duke u bërë futbollisti më i shpejtë që shënon 16 gola në La Liga. Uruguaiani realizoi dy gola në barazimin 2:2, të hënën në mbrëmje kundër Selta Vigos, duke arritur këtë shifër të golave të  shënuar në gjithsej 17 ndeshje.

Ndërkohë Kristiano Ronaldo kishte shënuar 15 gola në po kaq ndeshje me fanellën e Realit të Madridit gjatë sezonit 2009/2010.

Pas largimit nga Barcelona gjatë verës së kaluar, Suarez ka arritur që të tregojë vlerat e tij te Atletiko Madrid, duke i udhëhequr drejt kreut të kampionatit.

Uruguaiani me 16 gola të shënuar, 3 më shumë se ish shoku i tij te Barcelona, Lionel Messi, aktualisht kryeson renditjen e golashënuesve në La Liga.

Suarez u përfol për një transferim të mundshëm edhe te Juventusi në verë, por transferimi te Atletiko duket se ka qenë zgjedhja e duhur.

Me Suarezin në fushë “jorganxhinjët” janë të frikshëm në fazën sulmuese, aty ku në 20 ndeshje kanë shënuar 42 gola, apo 2.1 gol për ndeshje.

Leave a Reply