Armando Broja gati të shkruaj histori në futbollin holandez, lë pas yjet si Ibrahimoviç e Luis Suarez!

Armando Broja po luan sezonin e tij të parë në elitën e futbollit holandez, aty ku është gati të shkruaj histori, njofton “infOSport.mk”.

Broja, i cili është në pronësi të skuadrës së njohur angleze të Çelzit, po luan në formë huazimi te Viteshe, për të cilën skuadër në 20 ndeshje ka shënuar 9 gola.

Këtë shifër të golave në debutimin e tij në elitën e futbollit holandez, e kishte arritur ylli suedez me origjinë boshnjake, Zlatan Ibrahimoviç, ndërsa Luis Suarez, aktualisht futbollist i Atletiko Madridit, në sezonin e tij të parë në “Eredevisie” kishte realizuar 10 gola.

Ma kanë thënë këtë edhe këtu, se Ibrahimoviç ka 9 gola dhe se Suarez ka një gol më shumë se unë. Shpresoj që ti kalojë që të dy dhe të shënojë më shumë gola” – u shpreh Armando Broja në emisionin “Zona Gol” në SuperSport.

Broja do të ketë rastin për të barazuar Luis Suarezin që sot në ndeshjen kundër AZ Alkmar, mirëpo edhe nëse nuk do mund ta arrinte, ai një gjë të tillë do të ketë mundësinë ta bëjë në 9 javët e ardhshme të “Eredevisie”, ku skuadra e tij, Viteshe aktualisht pas 24 xhirove renditet në pozitën e 5-të me 45 pikë, një më pak se gjigandët e Fejenordit në pozitën e katërt dhe 4 më pak se kundërshtari i sotëm, AZ Alkmar. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply