Xhelal Mjaku mendon për fitoren e FC Arben Bajrami në transfertën në Kavadar (VIDEO)

Xhelal Mjaku ka luajtur rolin e heroit për skuadrën e Futsal Club Arben Bajrami, që sonte më vështirë se sa pritej mundi Crna Rekën në Kavadar, me rezultatin 3:2, njofton “infOSport.mk”. Mjaku shënoi golin e fitores dy minuta oara fundit të takimit, duke hapur mbrojtjen vendase që mbrohej me të gjitha forcat gjatë gjithë pjesës së dytë.

Njëherit goli i Xhelal Mjakut ishte i vetmi i shënuar gjatë pjesës së dytë, teksa 4 golat tjerë u shënuan në 20 minutëshin e parë.

Vendasit kaluan në epërsi pas 5 minutave lojë me anë të Martin Mehmedinoviç, ndërsa vetëm një minutë më pas FC Arben Bajrami pas një aksioni të bukur barazoi shifrat në 1:1.

Pajtim Rexhepi në minutën e 12-të shënoi edhe golin e dytë për FC Arben Bajrami, skuadër kjo që për herë të parë pa veten në avantazh në ato momente, ndërsa dy minuta më pas ekipi shkupjan ishte i pafat, pasi shtylla u mohoi golin e tretë, ndërsa na vazhdim të aksionit, vendasit me anë të  Darko Temelkov barazuan shifrat në 2:2.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë në parket luante vetëm FC Arben Bajrami. Skuadra shkupjane pjesën më të madhe e luajti pa portieri, duke kërkuar golin e fitores, i cili erdhi vetëm në minutën e 38-të, kur Xhelal Mjaku nga afërsia shënoi për rezultat 3:2.

Falë kësaj fitore, FC Arben Bajrami me 40 pikë kryeson renditjen, duke lënë pas kampionët në fuqi të Futsal Shkupit dhe KMF Proekt Josifovo, skuadër kjo që ndeshjen e javës së 15-të do ta zhvillojë nesër kundër Astibos. (infOSport.mk)

Leave a Reply