Pas 11 vitesh, Simeone rrezikon shkarkimin te Atletiko Madridi, ja kush mund ta pasojë

Diego Simeone po kalon një nga momentet më të vështira si kryetrajner i Atletiko Madrid, ekip me të cilin ka një lidhje të veçantë, pasi ka luajtur e fituar si futbollist dhe si trajner.

Argjentinasi në krye të skuadrës nga Madridi është që nga dhjetori i vitit 2011-të, ndërkohë që prej kohësh është tekniku më i paguar në planet.

Por, këtë sezon gjërat nuk po shkojnë mirë për të, pasi Atletiko dështoi në grupet e Ligës së Kampionëve duke u renditur në vendin e fundit në grup, dështim që ndikoi që tifozët të kërkonin pas shumë kohësh shkarkimin e Simeones.

Situata nuk është e mirë as në La Liga, aty ku djemtë e Simeones ndajnë vendin e katërt me Atletik Bilbaon, duke qenë 13 pikë larg Barcelonës kryesuese.

“AS” shkruan se “El Cholo” i ka ditët e numëruara dhe dy janë kandidatët për ta zëvendësuar.

Të preferuarit e presidentit Cerezo janë Mauricio Poçetino dhe Luis Enrike. I pari qëndron pushim pas aventurës në stolin e PSZh-së, teksa kampionatin spanjoll e njeh mirë pasi ka drejtuar më parë Espanjollin.

Ndërkohë, Luis Enrike po përgatitet për Kupën e Botës si trajner i Spanjës. Katar 2022 do të jetë aventura e tij e fundit në stolin e kombëtares iberike, pasi kontrata i përfundon pas Botërorit.

Leave a Reply