FC Shkupi bëhet me trajner turk

FC Shkupi prej sot edhe zyrtarisht do të drejtohet nga strategu turk, Xhihad Arsllan, njofton “infOSport.mk”. Bëhet fjalë për një trajner me një CV të pasur, teksa i njëjti gjatë karrierës së tij ka udhëhequr një nga skuadrat më të famshme të Superligës Turke, Bashakshehir.

Vlen të theksohet se Arslan udhëhoqi ekipin e Akhisar, që vjen nga një qytezë e vogël, me të cilën skuadër garoi edhe në Liga Europa. Pikërisht këto arritje dhe vetë pjesëmarrja në grupet e Liga Europa dhe shumë suksese të tjera në futbollin turk, bënë që drejtuesit e FC Shkupit të vendosën për Xhihad Arslan, i cili në postin e trajnerit te skuadra nga Çairi do të zëvendësojë Goce Sedlloskin, me të cilin skuadra “blu”, edicionin e kaluar u shpall kampione e Maqedonisë, ndërsa ishte edhe shumë pranë kualifikimit në grupet e Ligës së Konferencës.

Me ardhjen e Arslan, ka ndryshuar edhe stafi teknik, derisa asistent i tij i parë do të jetë Fevzi Ljajiç, me të cilin së fundmi bashkëpunonte te skuadra e Malatyaspor.

Duke pasur parasysh se aktualisht kampionati është në pushim, për shkak paraqitjes së përfaqësueses së Maqedonisë në eliminatoret e vlefshme për Euro 2024, Arsllan, debutimin e tij në një ndeshje zyrtare në bankinën e FC Shkupit, do ta ketë me datë 2 prill, kundër skuadrës së Skopjes. (infOSport.mk)

Leave a Reply