E bujshme, Elena Sadiku nis punën si trajnere tek Evertoni, në të ardhmen mund ta drejtojë Kosovën!

Elena Sadiku po bën hapa të mëdhenj në karrierën si trajnere e futbollit. 29-vjeçarja është e vetmja trajnere shqiptare që punon në nivelin serioz të futbollit evropian. Ajo nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen ta drejtojë përfaqësuesen e Kosovës.

Elena Sadiku është e rritur në Suedi, ndërsa karrierën si futbolliste e ka përfunduar herët për shkak të lëndimeve. Këtë javë është zgjedhur kryetrajnere e Akademisë së Evertonit.

Evertoni garon në elitën angleze të futbollisteve, që sipas Elenës tani është liga më cilësore në botë.

“Jam shumë e lumtur që jam trajnerja kryesore e Akademisë së Evertonit. Është hap i madh për karrierën time. Por unë punoj çdo ditë për të arritur edhe më shumë”, ka thënë Elena Sadiku të dielën për Kohën.

Ajo më herët ka qenë asistente e Brian Sorensenit, trajnerit të ekipit të parë të Evertonit. Tani Elena do të punoi me futbollistet e reja dhe e ka për detyrë zhvillimin e duhur të tyre. Punën në Angli e ka nisur tashmë. Kosovarja ndjehet krenare që është angazhuar në top-ligën e futbollisteve.

“Niveli i futbollit në Angli është më i larti në botë. Liga e parë është në nivel shumë të mirë. Këtu luajnë lojtaret më të mira në botë”, ka theksuar Sadiku.

Ajo ka 20 vjet që është në futboll. Nisi të luajë futboll me babanë dhe vëllezërit, në Malmo të Suedisë. Më pas iu bashkua skuadrës më të madhe suedeze, Rosengard. Me 16 vjeç nisi të luajë me të rriturat, ndërsa fitoi dy tituj të Suedisë.

“Më pas kam kaluar në Kristianstads, ku qëndrova dy vjet. Kam luajtur me Kosovare Asllanin një vit. Më pas kam luajtur te Eskilstuna, ku qëndrova tri vjet. E kam përfunduar karrierën si futbolliste te Hammarby në vitin 2017. Pas 13 operacioneve nuk kam mundur të luaj më futboll. Ishte një periudhë e rëndë dhe më pas nisa si trajnere”, ka treguar Elena Sadiku.

Si trajnere nisi në Kinë te skuadra Beijing Phoenix, në vitin 2018. Më pas u kthye në Suedi, ndërsa ishte edhe në Danimarkë.

“Në Kinë isha një vit, më pas në Rosengard isha trajnere kryesore e ekipit të dytë dhe trajnere e dytë e ekipit të parë. Më pas në Fortuna Hjorring isha trajnere kryesore. Kemi luajtur në Ligën e Kampionëve. Kemi luajtur me Barcelonën. Më pas isha trajnere kryesore në Eskilstuna United, ku edhe kam luajtur për tri edicione. Më pas erdha në Everton”.

Me kalimin tek Evertoni, zhvillimi i Elenës vetëm sa pritet të jetë më i hovshëm. Dhe ajo nuk e përjashton mundësinë që një ditë ta drejtojë Kosovën.

Aktualisht Kosovën e drejton suedezja Karin Anneli Andersen.

“Unë ende jam e re. Kam dëshirë të shkoj përpara. Pse jo, unë e kam Kosovën në zemër dhe do të kisha dëshirë të kontribuoj për futbollin e vajzave në Kosovë”, ka thënë Elena Sadiku.

Ajo momentalisht është e përkushtuar të dëshmoi vlerat tek Evertoni në Angli. E ardhmja mund ta sjellë edhe te Kosova.

Leave a Reply