Një kosovar dhe një serb në garë për të marrë timonin e Vorskla Poltava!

Vorskla Poltava, skuadër kjo që garon në elitën e futbollit ukrainas, aktualisht është pa trajner, pas largimit të Viktor Skripnik.

Ky i fundit ishte larguar me 19 dhjetor, pas gati një vit e gjysëm që kishte punuar te skuadra nga Poltava, për të vazhduar karrierën te skuadra tjetër ukrainase e Metalist 1925, transmeton “infOSport.mk”.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat ukrainase, vendin e Skripnik, mund ta zënë dy ish futbollistë të Vorskla Poltava, shqiptari nga Kosova, Armend Dallku dhe serbi, Jovan Markoski, që posedon edhe pasaportë të Maqedonisë.

Ky i fundit nuk ka eksperiencë prej trajneri, derisa Dallku këtë zanat po e ushtron pak më shumë se katër vite, duke udhëhequr skuadrat kosovare të Prishtinës dhe Dukagjinit.

Kujtojmë, Dallku dhe Markoski plotë 9 vite kishin luajtur bashkë me fanellën e Vorskla Poltava, skuadër kjo që aktualisht po udhëhiqet nga trajneri i portierëve, Sergei Dolgansky.

Në rast se gjërat nuk lëvizin rreth angazhimit të Dallkut, apo edhe Markoskit, atëherë Dolgansky me shumë gjasa pritet të udhëheq ekipin në pjesën e dytë të sezonit në elitën e futbollit ukrainas, që starton me 24 shkurt.

Në stafin e tij pritet të jetë edhe një Pavel Rebenok, një ish-futbollist i Vorskla Poltava, i cili menjëherë pas përfundimit të karrierës së tij futbollistike në vitin 2021, kishte marrë rolin e trajnerit ndihmës te kjo skuadër.

Pra që të dy këta e njohin mirë ambientin brenda skuadrës së tyre, ndaj dhe me shumë gjasa do të udhëheqin ekipin e Vorskla Poltava në pjesën e dytë të sezonit 2023/24.

Pas 17 xhirove të para, Vorskla Poltava numëron 23 pikë, duke u renditur në pozitën e 7-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply