KHF Çair kualifikohet në finale, Latifi paralajmëron Gjorçe Petrovin: Finalet nuk luhen, por fitohen

Klubi i hendbollit të femrave Çair vazhdon të befasojë me rezultatet e saja impresionuese, teksa së fundmi kjo skuadër arriti të sigurojë edhe finalen e Kupës së Maqedonisë.

Vashat e Çairit të udhëhequr nga trajneri Basri Latifi, në gjysmëfinale mundën rivalin e qytetit, KHF Vardar, me rezultatin 32:28, edhe pse pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale 13:14 në favor të ekipit kundërshtarë.

Megjithatë, falë fjalëve motivuese të trajnerit dhe bashkëpunëtorëve të tij, në pjesën e dytë pamë një skuadër edhe më të motivuar dhe më bindëse të  Çairit, skuadër kjo që në fund madje realizoi një fitore prej 4 golave epërsi.

“Një derbi i vërtetë, ashtu edhe siç e kishim parashikuar. Lojë shumë e fortë, intensive, por që neve i’a dolëm të dalim fitues. Gjithmonë ka fundi i sezonit hyjmë në formën e duhur, ashtu që besuam deri në fund tek fitorja, që e arritëm besoj me shumë meritë. Kënaqësi e madhe kur e fiton Vardarin, për më tepër që një gjë të tillë bënë në gjysmëfinale dhe arrinë të luash në finalen e madhe. Urime vajzave për angazhimin dhe sakrificën, faleminderit publikut të mrrekullueshëm që gjithmonë janë pranë nesh dhe sinqerisht u jam shumë mirënjohës atyre” – u shpreh trajneri Basri Latifi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes në një prononcim ekskluziv për “infOSport.mk”.

Latifi foli edhe për finalen e madhe që i pret të dielën kundër ekipit kampion të Gjorçe Petrovit. Edhe pse është i vetëdijshëm se cilën skuadër ka përballë, trajneri i KHF Çair, thotë se ndeshjet finale nuk luhen, por fitohen, duke paralajmëruar edhe një tjetër senzacion.

“Çdo fjalë dhe analizë e ekipit kampion të Gjorçe Petrovit, është e tepërt. Ata janë ekipi më cilësor në ligë dhe meritojnë shumë respekt. Megjithatë neve nuk dorëzohemi. Finalet nuk luhen, por ato fitohen, ashtu që shpresoj se në fund neve do të jemi fitues të finales së madhe të dielën” – përfundoi prononcimin e tij, Basri Latifi.

Për KHF Çair është kjo finalja e parë në historikun e tyre, pas dy dështimeve rradhazi në gjysmëfinale, përfshirë këtu edhe atë të vitit të kaluar, kur ishin eliminuar pikërisht nga kundërshtari i tyre i finales së madhe të së dielës, Gjorçe Petrovi.

Më e merituar për fitoren e sotme të KHF Çair, ishte Leonora Rrahmani, që ndeshjen e mbylli me 8 gola, ndërsa dy gola më pak realizoi Amela Xhakmiq. Në anën tjetër, te KHF Vardar, u dalluan Simona Vasileva me 7 gola dhe Borjana Koceva, që realizoi 6 gola.

Finalja e madhe midis KHF Çair dhe KHF Gjorçe Petrovi do të zhvillohet të dielën me fillim në ora 16:00 në palestrën “Boris Trajkovski” në Shkup. (infOSport.mk)

Leave a Reply