Milevski: Dy ndeshjet e qershorit shumë të rëndësishme për ne, futemi seriozisht dhe të motivuar

Përfaqësuesja e Maqedonisë gjatë muajit qershor do të zhvillojë dy ndeshje kontrolluese ndaj dy kombëtareve pjesëmarrëse në Euro 2024, siç janë Kroacia dhe Çekia, njofton “infOSport.mk”.

Që të dyja këto ndeshje janë shumë të rëndësishme, tha trajneri Milevski, pasi me siguri se do i shërbejnë skuadrës si parapërgatitje për sfidat e shtatorit, por mbi të gjitha edhe në forcimin e atmosferës së mirë dhe bashkimit.

“Dy ndeshjet kontrolluese, kundër Kroacisë në Rijekë dhe kundër Çekisë në Hradec Kralove janë shumë të rëndësishme për ne, në përgatitjet për sfidat e shtatorit, me theks të veçantë në forcimin e atmosferës së mirë dhe bashkimit.” – u shpreh fillimisht Bllagoja Milevski, duke kërkuar përmirësimin e skuadrës në disa pjesë të lojës.

“Patjetër duhet të rregullojmë edhe disa gjëra në lojë nëse duam të arrijmë rezultate pozitive në dy ndeshjet e ardhshme. Patjetër duhet të bëjmë më mirë, unë jam i vetëdijshëm për këtë. Ne krijojmë raste, por duhet ta përmirësojmë efikasitetin, të futemi më shumë në hapësirën boshe, të tregojmë karakter. Këto janë ndeshjet ku sigurisht se nuk do të mungojë motivimi dhe duhet të hyjmë seriozisht, me përgjegjësi dhe vendosmëri” – deklaroi Milevski, i cili kundër Kroacisë do të ketë ndeshjen e tij të 30-të jubilare nën drejtimin e përfaqësueses A të Maqedonisë, me të cilën deri më tani ka regjistruar 10 fitore, 8 barazime dhe 11 disfata.

Leave a Reply