Fortuna e Hasanebgut, skuadër kjo që garon në Ligën e Tretë – Veri, prej kohësh ka vuajtur mungesën e një sponsori stabil, që ndoshta e ka ndëshkuar këtë skuadër për të mos u ngjitur në Ligën e Dytë, apo edhe të parën.
Mirëpo tashmë kësaj pritje, si duket i ka ardhur fundi, kjo pasi klubi nga Hasanbegu, KF Fortuna, falë angazhimeve të pronarit të QS “ER7”, është bërë me sponzor dhe pronar të rinj, që vijnë nga Turqia.
Bëhet fjalë për biznesmenin turk Fatih Sandal, i cili edhe zyrtarisht është drejtues i ri skuadrës nga Hasanebgu, që edicionin e kaluar e mbylli në pozitën e dytë, menjëherë pas Shkëndijës së Haraçinës, skuadër kjo që më pas përmes ndeshjes së balotazhit, siguroi edhe një vend për në Ligën e Dytë.
Pikërisht me drejtuesin e ri, nga tabori i Fortunës shpresojnë të ndjekin rrugën e fqinjëve të tyre dhe shumë shpejtë edhe ata të promovohen në Ligën e Dytë.
“Disa futbollistë shumë më kanë pëlqyer, talent të shkëlqyeshëm dhe qëllimi ynë është që ti promovojmë ata me fokus të zhvillimit të akademisë për të cilën kemi shumë informacione se punët me standard të lartë dhe se nga këtu kanë dalë mjaft futbollist të mirë. Do ti shfrytëzojmë të gjitha linqet me klubet e mëdha turke dhe ti promovojmë talentët” – tha Fatih Sandal, sponzor i ri i KF Fortuna.
Me ardhjen e pronarit të ri Fatih Sandal, si dhe me ndryshime në stafin drejtues, e në kohë të njëjtë edhe me angazhimin e trajnerëve të rinjë, ëndërra e shumë e shumë gjeneratave që për më shumë vite kanë pritur që klubi nga Hasanbegu, që të ngjitet në Ligën e Dytë të Maqedonisë, do bëhet realitet.
“Kam shumë miq që kanë qenë direkt të inkuadruar në punën e klubeve dhe e di se mbretëron një dashuri e madhe për futbollin. Nuk e kisha parashikuar se ekziston një dashuri kaq e madhe për futbollin në Hasanbeg dhe për këtë duhet buxhet. e për këtë jemi këtu. Të ju them të drejtën, kemi siguruar shumë të dhëna për këtë klub të Ligës së Tretë, duam ta inkuadrojmë në Ligën e Dytë e varësisht nëse mund të sigurojmë luajtje në një rang më lartë apo do mbesin në Ligën e tretë edhe transferimet do kryhen.” – u shpreh Fatih Sandal, sponzor i ri i KF Fortuna.
Ndryshe klubi nga Hasanbegu është pionier i futbollit në vend. Zanafilla e tij është në mesin e tri skuadrave të para që zyrtarisht janë formuar në vitin 1919, së bashku me Makedonija dhe Napredokun.
