UEFA cakton arbitrin e ndeshjes Shqipëri-Poloni

Shqipëria ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së martës ndaj Polonisë që për “kuqezinjtë” e Edi Rejës do të jetë si një finale në garën për vendin e dytë në grupin “I” kualifikues të eliminatoreve të Botërorit Qatar 2022, pozicion që i çon kuqezinjtë për herë të parë në histori në fazën play-off.

Rëndësia e kësaj sfide është shumë e madhe jo vetëm për dy përfaqësueset Shqipërinë dhe Poloninë por edhe për UEFA-n që ka zgjedhur për të vendosur drejtësi në këtë duel një prej arbitrëve më të mirë në qarkullim për momentin. UEFA si arbitër kryesor për këtë ndeshje shumë të rëndësishme për të dyja kombëtaret, ka caktuar francezin Klement Turpin, i cili do të ndihmohet nga bashkëpatriotët e tij Danos dhe Gringore, derisa arbitër i katërt do të jetë Bouqet. Në VAR do jenë Jeroma Brisard dhe  Amaury Delerue, që të gjithë nga Franca.

Turpin është një arbitër me shumë autoritet, i cili ka qenë pjesë e klasës së arbitrëve të zgjedhur nga UEFA për Euro 2020, teksa vendosi drejtësi në takimet e fazës së grupeve Uells-Zvicër dhe Rusi-Danimarkë, ndërkohë që së fundmi në rang kombëtaresh ka gjykuar sfidën kualifikuese të “Qatar 2022”, Kroaci-Slloveni.

Turpin në kampionatin francez në këtë fillim sezoni ka vendosur drejtësi në shumë sfida me peshë përfshirë duelet e fundit PSZh-Lion 2:1 dhe Monako-Bordo 3:0, si dhe në sfidën e grupeve të Ligës së Kampionëve, Atalanta-Viljareal, që përfundoi në barazim 2-2 takim në të cilin nxorri nga xhepi 5 kartonë të verdhë dhe një të kuq. Në sfidat e ekipeve përfaqësuese Turpin ka një mesatare prej 3 apo 4 kartonësh të verdhë për ndeshje ndërkohë që nga xhepi ka nxjerrë shpesh edhe kartonin e kuq.

Leave a Reply