Zija Merxhani nuk do të jetë më pjesë e Shkëndijës në sezonin e ri, ndërsa vendin e tij te skuadra tetovare do ta zë shkupjani, Numan Ajeti, për transferimin e të cilit “infOSport.mk” kishte raportuar në mënyrë ekskluzive.
Me mbylljen e sezonit 2024/2025 kontrata e Merxhanit skadoi dhe lojtari nuk pranoi kushtet e ofruara për rinovim, ashtu që palët me sot ndanë rrugët.
Merxhani gjatë karrierës së tij ka mbrojtur ngjyrat kuqezi në disa periudha të ndryshme, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sukseset e klubit tetovar, me të cilin numëron edhe tre tituj kampion, përfshirë këtu edhe titullin e edicionit që kemi lënë pas.
Megjithatë, Merxhani, nuk është i vetmi që ka përfunduar bashkëpunimin me Shkëndijën. Pavarësisht se kishte ende kontratë me ekipin “kuqezi” nga Tetova, portieri Riste Jankov, në kërkim të minutazhit, vendosi të ndëpresë bashkëpunimin me pëlqim të dyanshëm.
26 vjeçari Jankov skuadrës së Shkëndijës iu bashkua në janar të këtij viti, mirëpo duke mos arritur të vije në shprehje, pavarësisht bagazhit që kishte pas vetes.
Kujtojmë, në sezonin e ri pjesë e Shkëndijës nuk do të jenë edhe Mevlan Adili, Stefan Kocev dhe Adenis Shala, derisa “kuqezinjtë” deri më tani për vete kanë bërë Mevlan Muratin, Imran Fetain dhe së fundmi, Numan Ajetin.
Vlen të theksohet se drejtuesit e kampionëve, gjithashtu kanë arritur të vazhdojnë bashkëpunimin edhe me një ndër liderët e mbrojtjes, Klisman Cake, si dhe mesfushorin defanziv, Kamer Qaka. (infOSport.mk)
