Infosport.mk mëson, Struga Trim Lum nesër prezanton trajnerin e saj të ri, Bledi Shkëmbi

Struga Trim Lum më në fund si duket ka zgjedhur edhe çështjen e trajnerit. Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se drejtuesit strugan postin e trajnerit i’a kanë besuar, Bledi Shkëmbit.

Strategu korçar së fundmi drejtonte skuadrën me më shumë trofe në Shqipëri, KF Tiranën, ndërsa te Struga Trim Lum vjen për të nisur një rrugëtim të ri në karrierën si trajner.

DETAJET RRETH KONTRATËS

Siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, Bledi Shkëmbi me Struga Trim Lum do të firmos kontratë dy vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

STAFI I BLEDI SHKËMBIT

Bledi Shkëmbi te Struga Trim Lum do të luaj rolin e kryetrajnerit, ndërsa si ndihmës do të ketë Sabien Lilajn, një tjetër emër i njohur i futbollit shqiptarë dhe më gjërë, që gjithashtu ishte pjesë e Skënderbeut të famshëm për një periudhë të caktuar.

Bashkë me Lilajn, rolin e ndihmësit do ta luajnë edhe Meriton Gega dhe Dejan Leskaroski, trajner kondicional mbetet Stefan Meçkaroski, ndërsa trajner i portierëve, Dardan Miftari.

KARRIERA E BLEDI SHKËMBIT

Shkëmbi, është një emër i njohur në futbollin shqiptarë, pasi i njëjti fillimisht kishte shkëlqyer me Skënderbeun si futbollistë, duke qenë lideri i asaj gjeneratë të artë që shpallej për 6 vite kampion, ndërsa gjithashtu kishte shkëlqyer edhe në garat europiane, duke kapur grupet e Liga Europa.

Ndryshe, Shkëmbi në karrierën e tij si trajner në dy periudha të ndryshme së fundmi kishte udhëhequr Tiranën, derisa në Shqipëri gjithashtu kishte drejtuar edhe skuadrat si, Teuta dhe Dinamo City, ndërkohë në Kosovë, Lirinë dhe FC Ballkanin.

45-vjeçari tashmë për herë të parë do të provojë veten edhe në Maqedoni, si kryetrajner i Struga Trim Lum.

Leave a Reply