Gledi Mici rikthehet të luaj në futbollin e Maqedonisë, edhe atë pas gati 5 viteve. Mici, një futbollistë shumë i dashur në mesin e “Ballistëve”, nga koha kur mbronte ngjyrat e Shkëndijës, ka vendosur të nënshkruaj me skuadrën e Struga Trim Lum, një ndër skuadrat më të mira viteve të fundit në Maqedoni, shkruan “infOSport.mk”.
Mici te Struga Trim Lum vjen me një bagazh të pasur, teksa i njëjti mund të lëvdërohet me trofe nga tre shtetet fqinje ku ka luajtur në vazhdimësi (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), përfshirë këtu edhe titullin kampion me Shkëndijën e Tetovës në vitin 2019-të.
Me plotë 5 tituj, Mici vjen si një lojtar kampion te Struga Trim Lum, duke u rikthyer në Maqedoni pas gati 5 viteve.
Gledi Mici me Struga Trim Lum ka nënshkruar kontratë një vjeçare, edhe atë në prani të Drejtorit Sportiv, Besart Isaku.
Ndeshjen e fundit në futbollin tonë vendor me fanellën e Shkëndijës, Mici e kishte zhvilluar me datë 8 mars të vitit 2020 kundër Borecit.
I njëjti në LPFMV numëron 52 ndeshje, 2 gola dhe plotë 17 asistime, më shumë se në çdo kampionat tjetër.
Ai ekipit të Struga Trim Lum i bashkëngjitet nga Superliga shqiptare, aty ku luante me shumë herë kampionët e Tiranës. Ndryshe në Superligën shqiptare, aty ku numëron plotë 246 ndeshje, Mici, kishte luajtur edhe me Aploninë, Kamzën, Skënderbeun, Kukësin dhe Flamurtarin. Pikërisht me këto dy të fundit, Mici kishte fituar në dy raste trofeun e Kupës së Shqipërisë, ndërsa i njëjti gjatë karrierës së tij kishte provuar veten të luaj edhe në Superligën e Kosovës, me skuadrën me më shumë trofe, FC Prishtina.
Te kjo skuadër Mici kishte qëndruar për gati dy vite e gjysmë, duke fituar titullin kampion dhe trofeun e Kupës. (infOSport.mk)
