Blerton Sheji po kalon sezonin e jetës me fanellën e Dritës së Gjilanit. Mbrojtësi i majtë strugan është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit të Zekirija Ramadanit.
Në ndeshjen ndaj Shelbourne në Irlandë, Sheji ishte i pakalueshëm, ndërhyrjet e tij ishin shumë të sakta, teksa tek i njëjti vërehej një vendosmëri dhe qetësi në çdo duel.
Ai tregoi pjekuri të madhe taktike dhe ndihmoi Dritën të arrijë fitoren e parë historike në kuadër të ndeshjeve në grupe në Ligën e Konferencës.
Mirëpo, Sheji ka qenë fantastik thuajse gjatë gjithë sezonit, pavarësisht se i njëjti ka luajtur në disa pozicione të ndryshme. Trajneri Ramadani, atë e ka përdorur si mbrojtës i majtë, që njëherit është edhe pozita e tij natyrale, por gjithashtu edhe në rolin e qendërmbrojtësit dhe mesfushorit, ndërsa në disa raste edhe si sulmues krahu.
Vlen të theksohet se Sheji në të gjitha këto pozita ka qenë fantastik, duke treguar se është një lojtar i kompletuar dhe i domosdoshëm për skuadrën e Dritës.
Pra Sheji, mund të themi lirisht se është një lojtar që e duan shumë trajner në skuadër, kjo pasi i njëjti mund të luaj kudo që i kërkon trajneri, edhe atë gjithmonë me shumë përkushtim, besnikëri dhe sakrificë.
Thjeshtë një profesionist i vërtetë, apo më mirë thënë arma sekrete e Zekirija Ramadanit te Drita e gjilanit këtë edicion.
