Bllagoja Milevski për herë të parë ka folur pas largimit të tij nga posti i seleksionuesit te përfaqësuesja A e Maqedonisë. Ai ka falënderuar të tre krerët e Federatës së Futbollit gjatë mandatit të tij, të cilët që nga viti 2014, kanë siguruar kushte dhe mbështetje për të arritut rezultate me vlerë për historinë e futbollit të Maqedonisë në arenën ndërkombëtare.
“Të dashur mbështetës të ekipit kombëtar të Maqedonisë,
Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe për të gjithë presidentët e federatës sonë, Ilço Gjorgioski, Muamed Sejdini dhe Masar Omeragiç, të cilët, që nga viti 2014, kanë siguruar kushte dhe mbështetje që na kanë mundësuar të arrijmë rezultate me vlerë për historinë e futbollit maqedonas.
Dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për Presidentin Masar Omeragiç për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe të qartë në periudhën e kaluar. Themele të tilla janë të nevojshme që çdo proces profesional të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme. Në futboll, si në çdo fushë tjetër.
Jam veçanërisht krenar për lojtarët tanë. Energjia, përkushtimi dhe këmbëngulja e tyre na sollën fitore dhe rezultate që do të mbeten në kujtesën tonë. Ata treguan se çfarë do të thotë të luash për Maqedoninë dhe kjo më mbush me krenari të vërtetë.
Gjithashtu jam mirënjohës stafit tim të trajnerëve, ekipit mjekësor dhe atij të logjistikës për profesionalizmin dhe bashkëpunimin e tyre. Secili prej tyre e bëri punën e tij në heshtje dhe saktësi, si pjesë e një tërësie që duhet të koordinohet për të pasur sukses.
Ishte një nder të drejtoja ekipin kombëtar dhe të isha pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët. Do të vazhdoj të jem me ekipin kombëtar edhe në të ardhmen, me vëmendje, mbështetje dhe respekt.” – kishte shkruar Blagoja Milevski.
Gjatë mandatit të tij si trajner i ekipit më të mirë përfaqësues të vendit, nga 1 gushti 2021, Milevski e udhëhoqi Maqedoninë në 48 ndeshje.
Nën udhëheqjen e tij, ekipi përfaqësues i Maqedonisë regjistroi 18 fitore, 14 barazime dhe 16 humbje.
Gjatë kësaj periudhe, Maqedonia arriti të fitojë dy ndeshje “play-off” për një vend në Kupën e Botës, përfundoi e para në segmentin C të Ligës së Kombeve dhe siguroi një vend në divizionin B për edicionin e ardhshëm të këtij kompeticioni.
