Memetriza Hamza shënoi golin e tretë të këtij edicioni, ndërsa edhe ai i sotmi ndaj Tikveshit ishte një kryevepër nga ana e futbollistit tetovar të Struga Trim Lum, shkruan “infOSport.mk”.
Pas dy golave paraprak të shënuar nga gjuajtjet e lira kundër Sileksit dhe Bashkimit, sot, Hamza shënoi me një parabolë, duke i siguruar tre pikë mjaft të rëndësishme skuadrës strugane, që në fund doli si nënkampion i stinorit vjeshtorë, pas Vardarit që në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, mundi Makedonija GJP në transfertë me shifrat 2:1.
Ndryshe, fitorja e sotme ishte e 6-të e njëpasnjëshme për Struga Trim Lum, skuadër kjo që ka edhe një gol-averazh impresionues prej 18:2, që tregon për formën e tyre të mirë.
Në 16 ndeshje të zhvilluara, Struga Trim Lum, regjistroi 13 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 disfatë, duke tubuar 41 pikë, një më pak se Vardari i vendit të parë.
Skuadra shkupjane në takimin e zhvilluar në stadiumin e Gjorçe Petrovit falë “dopietës” së kapitenit Azer Omeragiç mundi Makedonija GJ.P, skuadër kjo që e para kishte avansuar në këtë ndeshje, falë golit të kolumbianit, Estupinan.
Vlen të theksohet se që të tre golat në këtë ndeshje u shënuan gjatë pjesës së dytë. (infOSport.mk)
