Valmir Nafiu do të vazhdojë të mbetet pjesë e futbollit elitar në Kosovë. Pasi ditë më parë i dha fund qëndrimit të tij te FC Ferizaji, ish futbollisti i Shkëndijës, siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk” ka vendosur të pranojë ofertën e FC Malishevës.
Nafiu me fanellën e skuadrës së FC Malishevës pritet të prezantohet gjatë ditës së sotme, ndërsa informacionet tona flasin se futbollisti tetovar ka firmosur kontratë për një vit e gjysmë.
Nafiu te FC Malisheva do të bashkohet edhe me dy futbollistët tjerë shqiptarë nga Maqedonia, Besnik Ferati dhe Xhemal Ibishi.
FC Malisheva stinorin vjeshtorë në elitën e futbollit kosovar e mbylli në pozitën e 5-të me 27 pikë, vetëm 3 pikë më pak se Prishtina e vendit të dytë.
Me angazhimin e Nafiut ata kanë përfituar në kualitet dhe përvojë, duke pasur parasysh karrierën e tetovarit, i cili pas vetes numëron edhe 20 ndeshje europiane me fanellën e Shkëndijës, për të cilën skuadër ka zhvilluar plotë 148 ndeshje.
Kujtojmë, i njëjti në futbollin vendor ka veshur edhe fanellën e Renovës, me të cilën skuadër numëron 62 ndeshje, derisa në Superligën e Kosovës, aty ku gjithashtu ka luajtur edhe me Gjilanin, Nafiu ka regjistruar 43 ndeshje dhe 5 gola. (infOSport.mk)
