Bashkimi me Burak Hidën, në krye të detyrës edhe gjatë merkatos së janarit.
Skuadra kumanovare po tregohet mjaft aktive në këtë muaj janari të ftohtë, duke bërë që zemrat e shumë tifozëve “zigjelbër” të rrinë flakë, kjo për shkak emrave të rinj që i janë bashkuar skuadrës së tyre të zemrës, por njëkohësisht edhe që pritet ti bashkohen.
Deri më tani zyrtarisht skuadra kumanovare ka firmosur me sulmuesin Foday Traëally, ndërsa informacione të besueshme pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se Bashkimi shumë shpejtë pritet të prezantojë edhe dy emra të njohur për opinionin futbollistik në vend.
Fjala është për portugezin e FC Shkupit, Luís Ribeiro, si dhe ish futbollistin e Voska Sport, Gabriel Yapy Tenlep.
Megjithatë këtu nuk është fundi i transferimeve të bujshme të skuadrës së njohur shqiptare…!
Një emër tjetër që pritet të prezantohet te Bashkimi, ashtu siç mëson “infOSport.mk”, është sulmuesi “bishë” nga Trinidad dhe Tobago, Nickel Ronaldo Orr.
Bëhet fjalë për një sulmues që luan në krahun e majtë. Ai përveç në vendlindjen e tij, karrierë ka bërë edhe në Qipro, duke luajtur me skuadrën e PAEEK Kyrenia, për të cilën skuadër në 39 ndeshje ka regjistruar 6 gola.
Orr ka një të majtë vrastare, ndërsa dallohet edhe për fizikun e tij dhe gjatësinë 190 cm që ka. I njëjti pritet të sjellë shumë freski në pjesën sulmuese, sidomos në krahun e majtë, edhe pse mund të luaj në shumë pozicione të tjera në pjesën ofenzive.
Ajo që e karakterizon këtë sulmues 24-vjeçar, është edhe lëvizshmëria e tij dhe dëshira për të ndihmuar skuadrën në çdo pëllëmbë të fushës. Pikërisht futbollistë të tillë janë pjesë e futbollit modern europian, që i duan edhe shumica e trajnerëve, pasi futbolli është punë ekipore, dhe kur në skuadër ke futbollistë që në rend të parë vënë ekipin, atëherë nuk kanë se si të mungojnë edhe rezultatet.
Shpresojmë që Orr është një futbollistë i tillë dhe që do e ndihmojë Bashkimin në arritjen e objektivit, mbijetesën në Ligën e Parë. (infOSport.mk)
