FFM vendosi në përdorim arenën e re të FIFA-s në Mogillë

Në Mogillë, në rajonin e Manastirit, edhe zyrtarisht është vënë në përdorim fusha e dytë e futbollit në Maqedoni, e ndërtuar në kuadër të projektit global „FIFA Arena“, iniciativë e FIFA-s e orientuar drejt zhvillimit të futbollit bazë dhe krijimit të kushteve më të mira për fëmijët dhe të rinjtë.

Në hapjen e fushës së re morën pjesë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Leonid Jandreoski, legjendat e futbollit maqedonas Nikollçe Noveski dhe Gjorgji Hristov, kryetari i Komunës së Mogillës, Draganço Sabotkovski, përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, si dhe banorët më të rinj dhe futbollistët, pjesë e kësaj komune.

Pas fushës në Bosillovë, Mogilla është komuna e dytë në Maqedoni që përmes projektit „FIFA Arena“ përfiton një fushë moderne futbolli.

Fusha e re do të jetë në dispozicion të shkollave lokale të futbollit, fëmijëve dhe të rinjve të komunës, si dhe për aktivitetet në kuadër të projektit „Futboll në shkolla“.

Në fjalimin e tij, sekretari i përgjithshëm i FFM-së, Leonid Jandreoski, theksoi se ndërtimi i fushave të reja është investim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e futbollit në Maqedoni dhe një mundësi që më shumë fëmijë ta përjetojnë futbollin si pjesë të përditshmërisë së tyre.

“Çdo fushë e re do të thotë një mundësi e re për një fëmijë. Mundësi për të bërë sport, për t’u shoqëruar, për të mësuar se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një ekipi dhe për të hedhur hapat e parë në futboll në kushte të sigurta dhe cilësore. Pikërisht për këtë arsye, ‘FIFA Arena’ është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor, ky është një investim për fëmijët dhe në të ardhmen e futbollit tonë”, – deklaroi sekretari i përgjithshëm i FFM-së, Leonid Jandreoski.

Ai shprehu mirënjohje për FIFA-n për mbështetjen dhe vizionin që përmes projektit “FIFA Arena” të krijohen mundësi të reja për fëmijët në mbarë botën, duke theksuar se FFM-ja mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të infrastrukturës dhe futbollit bazë në të gjitha pjesët e Maqedonisë.

“Qëllimi ynë është që futbolli të ketë qasje për çdo fëmijë, pavarësisht nëse jeton në një qytet të madh apo në një komunë të vogël. Bosillova ishte fillimi, sot është Mogilla, ndërsa puna jonë vazhdon. Me çdo fushë të re krijojmë edhe një vend ku fëmijët mund të rriten me futbollin dhe përmes futbollit”, – shtoi Jandreoski.

Prania e emrave të futbollit në Maqedoni si Nikollçe Noveski dhe Gjorgji Hristov, e pasuroi më tej ceremoninë modeste, duke përcjellë mesazhin se rruga drejt skenave të mëdha të futbollit nis pikërisht nga fusha të tilla dhe mjedise lokale.

“FIFA Arena” është një iniciativë globale e FIFA-s, që synon ndërtimin e 1.000 fushave të reja të futbollit në mbarë botën, me fokus të veçantë te fëmijët dhe të rinjtë nga mjedise ku ka mundësi të kufizuara për qasje në infrastrukturën sportive.

“Kjo është një ditë e bukur për komunën tonë dhe veçanërisht për fëmijët tanë. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Federatën e Futbollit të Maqedonisë, për presidentin Masar Omeragiç dhe për sekretarin e përgjithshëm Leonid Jandreoski për mbështetjen e tyre dhe për faktin që Mogilla është pjesë e kësaj iniciative të rëndësishme. Fusha e re është një investim që do t’u mbetet brezave të ardhshëm dhe do t’u mundësojë fëmijëve tanë të merren me sport, të shoqërohen dhe të zhvillojnë talentet e tyre në futboll. Besoj se pikërisht nga vende të tilla nisin historitë më të bukura sportive. Ju falënderojmë që e vlerësuat Mogillën dhe që së bashku po krijojmë kushte më të mira për më të rinjtë tanë“, – deklaroi kryetari i Mogillës, Draganço Sabotkovski.

Mogilla sot fitoi një vend të ri për futboll. Për më të rinjët, kjo do të thotë një vend i ri për lojë, shoqërim, zhvillim dhe mundësi që një ditë pikërisht nga këtu të nisë një histori e re futbolli.

Leave a Reply