Pas disfatës 0:2 ndaj Struga Trim Lum, drejtuesit e Shkëndijës së Haraçinës edhe njëherë tjetër u ndanë të pakënaqur me arbitrimin, që sipas tyre tashmë po i dëmton seriozisht ata në këtë sezon debutues në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.
Lidhur me ndodhitë e fundit në ndeshjen e sotme në Çair, e ku pas intervenimit të VAR, futbollisti i Shkëndijës së Haraçinës, Martin Todorov, u ndëshkua me të kuq, ka reaguar numri 1 i skuadrës shqiptare, Sulejman Alimi, i cili ndër të tjerash në profilin e tij zyrtarë kishte shkruar:
“Në emër të kryesisë dhe si kryetar i Shkëndijës së Haraçinës, e bëj të qartë: nuk do të heshtim më përballë padrejtësive, vendimeve të njëanshme dhe dëmeve që po i shkaktohen klubit tonë. Kjo mënyrë e trajtimit është e papranueshme dhe nuk do ta tolerojmë më.
Kërkojmë respekt, transparencë, drejtësi dhe trajtim të barabartë për të gjitha klubet. Shkëndija e Haraçinës nuk është klub që mund të nëpërkëmbet, të injorohet apo të dëmtohet pa pasoja. Kush mendon se do të heshtim, gabon rëndë.
Nëse kjo situatë vazhdon dhe nuk ndërmerren menjëherë masa konkrete, do të marrim vendime të forta dhe do ta shqyrtojmë seriozisht tërheqjen tonë. Nuk kërkojmë favore, por drejtësi. Nuk kërkojmë privilegje, por respekt. Federata duhet të japë llogari dhe të ndalojë menjëherë çdo veprim që dëmton klubin tonë!
Shkëndija e Haraçinës nuk do të heshtë më. Mjaft është mjaft!…”
